Dhëndri i Donald Trump shpallet investitor strategjik, do ndërtojë resortin 1.4 mld € në Sazan!

Kompania e Jared Kushner dhëndrit të presidentit të zgjedhur të SHBA Donald Trump, merr statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit.

Vendimi u mor nga Komiteti i Investimeve Strategjike nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama më 30 dhjetor 2024, duke pranuar propozimin e kompanisë Atlantic Incubation Partners LLC dhe t’i japë asaj status të investitorit strategjik me procedurë të veçantë. Vendimi mban firmën e Ramës dhe të 7 anëtarëve të tjerë, zëvendëskryeministres Balluku, ministrave Gonxhja, Vengu, Malaj, Kumbaro, Denaj dhe të avokatit të shtetit Odise Moçka. 

Sipas këtij vendimi investimi në ishull nga kompania e dhëndrit të Donald Trump kap vlerën e 1.4 miliardë eurosh dhe ndërtimi parashikohet të shtrihet në 8 përqind të ishullit apo në një sipërfaqe prej 45 hektarësh.

Me miratimin e statusit, kompania e lidhur me Jared Kushner, dhëndri i Presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump, do duhet të negociojë një kontratë me kompaninë publike Korporata e Investimeve Strategjike, ndërsa  një sërë institucionesh shtetërore, përfshi ministritë e Infrastrukturës, Mbrojtjes, Mjedisit, Ekonomisë vihen në dispozicion të kompanisë për të transferuar pronën dhe përgatitur dokumentacionin për lehtësim të punimeve.

Vendimi i KIS nuk bën me dije se çfarë përfiton Shqipëria nga transferimi i pronës publike në favor të kompanisë amerikane, por përmendet se do të negociohet një kontratë me kompaninë amerikane, ku edhe Shqipëria do jetë pjesë e këtij investimi. Kjo ishte paralajmëruar edhe nga kryeministri Edi Rama. 

Forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet nëpërmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC), Albanian Seaports Development Company sh.a (ASDC), në cilësinë e palës shtet, dhe subjektit investues Atlantic Incubation Partners LLC, shoqëri e të drejtës amerikane.

Vendimi i KIS parashikon një sërë hapash që do ndërmerren kryesisht nga institucionet shtetërore në Shqipëri, për të ndihmuar kompaninë në sigurimin e pronës, dokumentacionin e nevojshëm dhe veprime të tjera që pritet të përmbyllen në tre muajt në vijim. Kompania nga ana tjetër do duhet të nënshkruaj një kontratë me Korporatën e Investimeve Strategjike dhe Albanian Seaports Development Company sh.a ndërsa do duhet të sigurojë me investimin e vet ujin, energjinë e të ngjashme.

“Forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet nëpëmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC), Albanian Seaports Development Company sh.a (ASDC), në cilësinë e palës shtet, dhe subjektit investues Atlantic Incubation Partners LLC, shoqëri e të drejtës amerikane”, thuhet në vendim.

Vendimi i KIS bën me dije se statusi jepet për një periudhë 10 vjeçare dhe se ndërtimi parashikohet të jetë i ndarë në tre faza.

Statusi “Investim/Investitor strategjik procedurë e veçantë” i jepet projektit të investimit “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” për një periudhë 10 vjeçare. Ky afat do t’i shërbejë projektit strategjik për përfitimin e procedurave me prioritet dhe brenda afateve të përshpejtuara, në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike, si dhe plotësimin e detyrave dhe planit të veprimit të parashikuar në këtë vendim. Ndërkohë, marrëveshja që do të nënshkruhet, pas negocimit dhe finalizimit sipas parashikimeve ligjore, në fazat e mëtejshme të vlerësimit të projektit, do të parashikojë afatin e nevojshëm të realizimit të plotë të investimit, angazhimet dhe detyrimet e ndërsjellta mes palëve dhe masat e detajuara mbështetëse, që përfiton ky projekt, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në vendim.

Deri në 1 mijë persona parashikohet që të punësohen në këtë resort.

Ky investim propozohet si një projekt i integruar me marinë turistike si dhe struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë, zona gastronomike, zona rekreacionale me shërbime në funksion të tyre.

Planet për ndërtimin e një resorti turistik luksoz në Sazan dhe një tjetri në Zvërnec nga Kushner dhe kompanitë e lidhura me të, u bënë publike në fillim të vitit që shkoi dhe kryeministri Edi Rama foli hapur në favor të tyre ndërsa i tha Nju Jork Times se interesimi i kompanisë së Kushner e bënte atë “krenar dhe të lumtur”.  Projektet financohen nga kompania e investimeve e Kushner Affinity Partners, e cila mbështetet në fonde nga qeveria e Arabisë Saudite.

Planet dhe aprovimi apriori i qeverisë shqiptare u kritikuan nga opozita se po bëheshin për të përfituar favore politike në rast të rizgjedhjes së Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë dhe mungesës së transparencës e garës.

  • Related Posts

    Video/Çahet diga e HEC Sasaj në Bunec, dëmtohen 10 biznese e 2 familje! Procedohet administratori i HEC-it 

    Baseni i hidrocentralit të Sasajt në Bunec është çarë duke bërë që 15 mijë metër kub ujë të vërshojnë në fshatin Bunec të Lukovës. Banorët e fshatit bregdetar të Bunecit…

    Zgjedhjet e 11 Majit, KQZ publikon shifrat: Janë regjistruar 10 mijë shqiptarë nga diaspora për 72 orë

    Kur kanë kaluar gati 72 orë nga hapja e regjistrimeve për diasporën që të votojnë në zgjedhjet e 11 Majit, KQZ ka publikuar shifrat zyrtare të emigrantëve të cilët janë…

    Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *